Njëmbëdhjetë njerëz e kanë humbur jetë dhe më shumë se 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri që shpërtheu në katin e shtatë të një shtëpie pleqsh në Tuzlla mbrëmjen e së martës, njoftuan të mërkurën autoritetet në kantonin e Tuzllës në Bosnje.
Sipas të dhënave të fundit të pakonfirmuara, 30 persona janë shtruar në spital në Qendrën Klinike Universitare në Tuzlla, ndërsa numri i të lënduarve që deri më tani kanë kërkuar ndihmë mjekësore është më i lartë.
Viktimat janë banorë të shtëpisë dhe trupat e tyre do të dërgohen për identifikim dhe autopsi, sipas autoriteteve. Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, por autoritetet e kanë nisur një hetim në vendin e ngjarjes. Ndërkaq, Drejtori i shtëpisë së pleqve, Mirsad Bakalloviq, dha dorëheqje një ditë pas zjarrit.
