Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka bërë të ditur se ky entitet serb në Bosnje-Hercegovinë do të “hakmerret” pas vendimit përfundimtar që e dënon atë me një vit burgim dhe ndalesë prej gjashtë vjetësh për ushtrim të aktivitetit politik.
“Populli i Republikës Sërpska duhet të ruajë qetësinë dhe të mobilizohet me institucionet tona. Askush nuk mund të përmbysë vullnetin e qytetarëve. Republika Sërpska e ka forcën për të luftuar mbrapsht përmes hapave politikë, pasi nëse nuk vepron ashtu, kërcënohet nga rreziqe më të mëdha”, ka shkruar Dodik në një postim në X më 3 gusht.
Dodik nuk e ka specifikuar se çfarë veprimesh politike do të ndërmerren.
Më 1 gusht, Gjykata e Bosnje-Hercegovinës e ka dënuar Dodikun me një vit burgim dhe ndalesë prej gjashtë vjetësh në ushtrim të aktivitetit politik për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.
Dodik është shpallur fajtor për nënshkrim të një dekreti që shpallte ligje të cilat Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, i ka anuluar paraprakisht.
Përmes këtyre ligjeve, trupat legjislativë në Republikën Sërpska kanë tentuar të parandalojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës dhe Përfaqësuesit të Lartë në entitetin serb të Bosnjës.
Pas vendimit të 1 gushtit, Dodik ka thënë se nuk e pranon padinë penale për “mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë”, për çka është dënuar nga Gjykata e Bosnje-Hercegovinës.
Ai i ka bërë publike vendimet e reja të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, të cilat, sipas tij, përcaktojnë “plan konkret për rrugën përpara”, pa specifikuar se për çfarë vendimesh bëhet fjalë.
