Zyrtarët e administratës Trump kanë zbuluar për ligjvënësit detaje të reja rreth operacionit të forcave amerikane Delta Force në Venezuelë, gjatë të cilit u kap presidenti i atëhershëm, Nicolas Maduro, dhe gruaja e tij, Cilia Flores. Burimet e CNN-së thanë se të dy u plagosën duke goditur kokën gjatë përpjekjes për t’u larguar nga kompleksit i tyre.
Maduro dhe Flores u përpoqën të fshiheshin pas një dere të rëndë çeliku, por korniza e derës ishte e ulët dhe ata e goditën atë. Operatorët e Delta Force i kapën dhe u dhanë ndihmë mjekësore menjëherë pas nxjerrjes nga kompleksi, thanë burimet.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi dhe Drejtori i CIA-s John Ratcliffe informuan ligjvënësit për më shumë se dy orë për detajet e operacionit.
Në gjykatë, Maduro dhe Flores u paraqitën me lëndime të dukshme. Avokati i Flores tha se ajo “pësoi lëndime të rënda”, duke përfshirë mundësinë e një frakture ose mavijosje të rëndë në brinjë. Ndërsa zyrtarët e administratës përshkruan dëmtimin e saj si të lehtë, gjatë seancës ajo lëkundej dhe ulte kokën, ndërsa Maduro kishte vështirësi të ulej dhe ngrihej në disa momente.
