Presidenti amerikan Donald Trump do ta mbajë një takim në Shtëpinë e Bardhë për hapat e ardhshëm në lidhje me Venezuelën, thanë për CNN burime të njohura me çështjen, ndërsa administrata intensifikon fushatën e saj të presionit ndaj vendit.
Pritet që të marrin pjesë anëtarë kryesorë të Kabinetit dhe ekipit të sigurisë kombëtare të Trump, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Kryetarin e Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjeneral Dan Caine, dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, si dhe shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles dhe zëvendës shefin e stafit Stephen Miller.
Takimi, i cili pritet të zhvillohet në orën 17:00 ET (23:00 me orën tonë lokale) në Zyrën Ovale, vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj Venezuelës me sulme ndaj anijeve të drogës dhe një grumbullim të aseteve ushtarake në Karaibe. Ushtria amerikane ka grumbulluar më shumë se një duzinë anijesh lufte dhe 15,000 trupa në rajon si pjesë e asaj që Pentagoni e ka quajtur “Operacioni Trungu Jugor”.
Presidenti gjithashtu tha javën e kaluar se SHBA-të do ta ndalojnë trafikimin e drogës venezuelase përmes tokës, përveç detit, “shumë shpejt”.
Gjatë fundjavës, presidenti dha një udhëzim të gjerë në rrjetet sociale, duke paralajmëruar linjat ajrore, pilotët dhe rrjetet kriminale që ta shmangin hapësirën ajrore venezuelase. Ai u tha gazetarëve të dielën, megjithatë, që të mos i japin shumë rëndësi këtij njoftimi.
Trump gjithashtu konfirmoi se ka biseduar me presidentin venezuelas Nicolás Maduro përmes telefonit, por nuk bëri të ditur për çfarë u diskutua. Administrata javën e kaluar formalizoi vendosjen e Maduros dhe aleatëve të qeverisë së tij si anëtarë të një organizate terroriste të huaj, një hap që zyrtarët argumentojnë se do t’i japë SHBA-së opsione të zgjeruara ushtarake për sulme brenda Venezuelës.
Takimi në Zyrën Ovale vjen ndërsa ligjvënësit vazhdojnë ta hetojnë ligjshmërinë e sulmeve amerikane ndaj anijeve të dyshuara të drogës në rajon, të cilat kanë shkaktuar më shumë se 80 viktima. Ligjshmëria e sulmeve është vënë në dyshim pasi SHBA nuk është zyrtarisht në luftë me Venezuelën.
CNN raportoi javën e kaluar duke iu referuar burimeve të njohura me çështjen se SHBA kreu një sulm ndjekës ndaj një anijeje të dyshuar për drogë pasi një sulm fillestar nuk vrau të gjithë ata që ndodheshin në bord.