“Unë dua” – vajza e ndal veten – “doja të bëhesha mjeke në të ardhmen. Por kur Talibanët erdhën në Afganistan, të gjitha dyert e shkollave u mbyllën”.
Me këtë fjali, CNN nis një shkrim për jetesën në Afganistan.
Brenda medresesë së miratuar nga Talibanët, Naji-e-Bashra – një shkollë fetare vetëm për vajza në periferi të Kabulit – një vajzë adoleshente me fytyrë të mbuluar plotësisht flet me nervozizëm. Shoqja e saj e klasës ia kap dorën nën tavolinë, e vetëdijshme se çdo kritikë ndaj qeverisë së Talibanëve është e rrezikshme.
Sado të papërsosura të jenë këto institucione fetare, ato janë e vetmja mundësi për shumicën e vajzave afgane mbi moshën 12 vjeçare që duan ndonjë arsimim. Afganistani mbetet i vetmi vend në botë që ua ndalon vajzave dhe grave arsimimin e përgjithshëm në nivelin sekondar dhe të lartë.
Kjo ndalesë është pjesë e një fushate më të gjerë shtypjeje ndaj të drejtave të grave nga Talibanët që kur ata morën pushtetin në gusht 2021. Qeveria përcakton si duhet të vishen gratë, ku mund dhe nuk mund të shkojnë, dhe me kë duhet të udhëtojnë – për shembull, kërkohet që ato të kenë me vete një kujdestar mashkull gjatë udhëtimeve.
Në korrik të këtij viti, Gjykata Penale Ndërkombëtare kërkoi urdhër-arrest për dy nga liderët më të lartë të Talibanëve, duke e cilësuar përndjekjen e grave dhe vajzave si prova të krimeve kundër njerëzimit. Talibanët e denoncuan gjykatën duke thënë se ajo po shfaq “armiqësi dhe urrejtje ndaj fesë së pastër të Islamit”.
Fillimisht, Talibanët patën deklaruar se pezullimi i arsimit për femrat do të ishte i përkohshëm, dhe disa liderë thanë se donin që shkollat e zakonshme të rihapeshin pasi të zgjidheshin çështjet e sigurisë. Por katër vjet më vonë, duket se krahu më radikal i Talibanëve po fiton. Shkollat jofetare, universitetet dhe madje edhe qendrat për trajnim shëndetësor mbeten të mbyllura për gjysmën e popullsisë. Sipas një raporti të UNESCO-s të publikuar në mars, afro 1.5 milionë vajza janë ndaluar ta ndjekin shkollën sekondare që nga viti 2021.
“U thamë vajzave të vishnin hixhabin siç duhet, por nuk e bënë. Vinin fustane sikur po shkonin në dasmë”, tha në dhjetor 2022 ministri në detyrë i Arsimit të Lartë, Nida Mohammad Nadim, në televizionin shtetëror, duke shpjeguar pse shkollat ishin mbyllur. “Vajzat po studionin bujqësi dhe inxhinieri, por kjo nuk përputhet me kulturën afgane. Vajzat duhet të mësojnë, por jo në fusha që bien ndesh me Islamin dhe nderin afgan”.
Ndërkohë, numri i medreseve që edukojnë vajza dhe djem në të gjithë Afganistanin është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, 22,972 medrese të financuara nga shteti janë themeluar gjatë tre viteve të fundit.
Në medresenë Naji-e-Bashra, ku CNN ka arritur së fundmi të sigurojë qasje të rrallë për filmim, regjistrimet janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme që kur Talibanët filluan t’i privojnë vajzat nga arsimi “i zakonshëm”.
Teksa tingulli i dhjetëra vajzave që recitojnë vargje nga Kurani jehon nëpër korridore, Kuranë me shkronja të arta dhe tekste fetare janë grumbulluar në dyshemetë e klasave. Në zyrën e drejtorit, një flamur i madh i Talibanëve qëndron në një cep. Një certifikatë e vulosur nga Ministria e Arsimit e Talibanëve qëndron në qendër të tavolinës së tij. Talibanët përcaktojnë kurrikulën këtu – ashtu si në të gjitha medreset në vend.
Meqë kjo është shkollë private, e financuar nga prindërit e nxënësve që zakonisht kanë një jetë më të privilegjuar, stafi ka pak më shumë liri për të mësuar edhe gjuhë dhe shkencë përveç studimeve islame. Në medreset publike, të financuara nga qeveria e Talibanëve, kurrikula është pothuajse krejtësisht fetare.
Shkolla sekrete
Por shumë vajza dhe gra në Afganistan i konsiderojnë medreset si zëvendësim të pamjaftueshëm për arsimin që kishin gjithnjë e më shumë qasje gjatë dy dekadave para tërheqjes së nxituar të SHBA-së në vitin 2021.
“Nuk kam pasur kurrë interes për ta ndjekur një medrese. Ato nuk na mësojnë çfarë kemi nevojë të dimë”, tha Nargis, një grua 23-vjeçare në Kabul, e cila foli përmes një linje të sigurt telefoni. CNN ka përdorur një pseudonim për sigurinë e saj.
Nargis është një studente model. E ndërgjegjshme, e organizuar, punëtore dhe e përkushtuar gjatë gjithë jetës së saj ndaj mësimit.
