Shtetet e Bashkuara kanë arritur të shpëtojnë anëtarin e fundit të zhdukur të ekuipazhit të avionit luftarak F-15, i cili u rrëzua të premten në jug të Iranit.
Lajmi u konfirmua nga presidenti Donald Trump, i cili tha se ushtria amerikane realizoi “një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit në historinë e saj”. Sipas tij, oficeri është tashmë “i sigurt dhe në gjendje të mirë”.
Në avion ndodheshin dy anëtarë ekuipazhi dhe të dy ishin hedhur me katapultë para rrëzimit. Njëri prej tyre ishte shpëtuar më herët. Nga ana e tij, Irani pretendon se avioni u rrëzua nga sistemi i tij i mbrojtjes ajrore.
Si u zhvillua operacioni?
Sipas raportimeve, SHBA dhe Irani hynë në një garë për të gjetur ushtarakun e zhdukur. Një burim i njohur me operacionin e përshkroi atë si një mision të madh kërkim-shpëtimi luftarak në jug të Iranit.
BBC raporton se gjatë operacionit ka pasur përplasje mes forcave amerikane dhe atyre iraniane, ndërsa ushtaraku mund të jetë plagosur që në momentin kur u hodh nga avioni.
Trump tha se vendndodhja e tij monitorohej vazhdimisht dhe se në operacion u përfshinë dhjetëra avionë amerikanë. Ai shtoi se nuk pati asnjë amerikan të vrarë apo të plagosur gjatë shpëtimit.
Nga ana tjetër, media iraniane raportoi se Garda Revolucionare rrëzoi një dron amerikan që po merrte pjesë në kërkimet për ushtarakun e zhdukur.
