Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pranë BE-së do të mblidhen nesër në orët e vona të pasdites në një takim të jashtëzakonshëm, pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
Këtë e ka konfirmuar një zëdhënës i presidencës së radhës së BE-së, e cila aktualisht drejtohet nga Qiproja.
Po ashtu, presidenca ka thirrur një mbledhje virtuale të Grupit të Punës për Çështjet Konsullore, me synim vlerësimin e situatës së qytetarëve të BE-së që ndodhen në rajon. Ky takim do të zhvillohet para mbledhjes së ambasadorëve.
Ndërkohë, sot është shënuar një përshkallëzim i ndjeshëm i konfliktit mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Izraeli dhe SHBA-ja kanë ndërmarrë një seri sulmesh ushtarake ndaj objektivave të ushtrisë iraniane, duke përdorur raketa dhe avionë luftarakë kundër bazave ushtarake dhe pikave strategjike në territorin iranian. Sipas tyre, qëllimi i operacionit ishte dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit dhe parandalimi i kërcënimeve që, sipas pretendimeve të tyre, lidhen me programet raketore dhe ushtarake iraniane.
