Një ndalim i ri për mbajtjen e shamisë islame në shkollat austriake ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin mbi lirinë fetare, të drejtat e fëmijëve dhe presionin familjar.
Që nga fillimi i vitit të ri shkollor, më 1 shtator, vajzat nën moshën 14 vjeç në Austri nuk lejohen të mbajnë në shkollë shami që “mbulon kokën në përputhje me traditat islame”.
Përfaqësuesit e mësuesve thonë se rregulli i ri është zbatuar përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe me respekt. Megjithatë, disa shkolla kanë raportuar konflikte dhe, në raste të caktuara, edhe reagime agresive.
Ndalimi ishte i debatueshëm që përpara se të hynte në fuqi, pasi kritikët ngritën pikëpyetje mbi përputhshmërinë e tij me lirinë e fesë dhe parimin e barazisë, transmeton Telegrafi.
Në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese e Austrisë e rrëzoi një ndalim të mëparshëm të shamisë. Ligji i atëhershëm ndalonte nxënëset e shkollave fillore të mbanin veshje fetare ose ideologjike që mbulonin kokën, deri në përfundim të vitit shkollor kur ato mbushnin 10 vjeç.
Gjykata arriti në përfundimin se rregullorja cenonte parimin e barazisë dhe lirinë fetare, duke argumentuar se në praktikë ajo synonte kryesisht shaminë “islame”.
Ligji i ri ndryshon kryesisht përmes rritjes së kufirit të moshës, duke e shtrirë ndalimin deri në moshën 14 vjeç.
Qeveria austriake argumenton se qëllimi kryesor është mbrojtja e zhvillimit të fëmijëve dhe e lirisë së tyre për të formuar personalitetin, duke pretenduar se vajzat duhet të mbrohen nga presioni i mundshëm familjar apo shoqëror për të mbajtur shami.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka vendosur nëse ky arsyetim i ri dhe mënyra se si është hartuar ndalimi i përgjigjen shqetësimeve kushtetuese të ngritura më parë.
Për momentin, zbatimi i ligjit u është besuar shkollave dhe mësuesve. Nëse një mësues konstaton se një nxënëse po mban shaminë e ndaluar, hapi i parë është t’i kërkojë asaj ta heqë. Nëse nxënësja refuzon, zhvillohen diskutime të mëtejshme dhe, nëse është e nevojshme, përfshihet autoriteti arsimor.
Vetëm në fazat e mëvonshme mund të nisë procedura për vendosjen e sanksioneve administrative.
Në rast të shkeljeve të përsëritura, procesi mund të kalojë në disa etapa, ndërsa prindërit ose kujdestarët ligjorë mund të përballen me gjoba nga 150 deri në 800 euro, nëse shamia vazhdon të mbahet pavarësisht kërkesës për ta hequr.
Përfaqësuesit e sindikatës së mësuesve kanë kritikuar detyrimin për të raportuar shkeljet, duke paralajmëruar se kjo mund t’i vendosë mësuesit në një rol mbikëqyrës që shkon përtej detyrës së tyre arsimore.

