Donald Trump njoftoi dje, të hënën, vendosjen e tarifave shtesë doganore prej 25% nga SHBA-të për çdo vend që bën tregti me Iranin, duke e përshkruar vendimin si “përfundimtar” dhe duke specifikuar se ai “hyn në fuqi menjëherë”.
Kina është partneri më i madh tregtar i Iranit, i ndjekur nga Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia dhe India në listë.
Ky veprim vjen ndërsa numri i të vdekurve nga protestat masive antiqeveritare në Republikën Islamike vazhdon të rritet.
Sipas mediave, numri i të vdekurve nga protestat mbarëkombëtare ka arritur të paktën në 646 dhe pritet të rritet më tej.
Presidenti amerikan thuhet se po shqyrton një gamë të gjerë masash për të rritur presionin ndaj Teheranit, duke përfshirë opsionet ushtarake.
Trump e ka kërcënuar vazhdimisht Teheranin me ndërhyrje ushtarake në përgjigje të protestave.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, tha dje se Trump “nuk ka frikë” të përdorë ushtrinë në Iran, por preferon diplomacinë.
“Ata thjesht vazhduan të vrisnin”
Dëshmitë e protestuesve iranianë që folën për BBC-në janë tronditëse.
“Omid”, një burrë në të 40-at, emri i të cilit është ndryshuar për arsye sigurie, përshkroi me një zë të dridhur se si kishte parë “me sytë e tij” forcat e sigurisë duke qëlluar drejtpërdrejt në radhët e protestuesve, duke vrarë njerëz në vend.
Ai tha se forcat e sigurisë kishin përdorur armë automatike të tipit Kallashnikov kundër civilëve të paarmatosur në qytetin e vogël jugor iranian ku ai kishte marrë pjesë në protesta për shkak të një situate ekonomike në përkeqësim.
