Gjykata Supreme e Brazilit e vuri në arrest shtëpiak të hënën ish-presidentin Jair Bolsonaro para gjykimit të tij nën akuzën për komplot puçi, duke e nënvizuar vendosmërinë e gjykatës pavarësisht nga taksat dhe sanksionet që po përshkallëzohen nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Gjykatësi i Gjykatës Supreme, Alexandre de Moraes, i cili ishte në shënjestër të sanksioneve nga Thesari i Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, e lëshoi urdhërarrestin kundër Bolsonaros. Në vendimin e tij përmendet si arsye dështimi për t’i respektuar urdhrat kufizues që ai ia kishte shqiptuar Bolsonaros nën dyshimin për nxitjen e ndërhyrjes së Trumpit në rast, raporton agjencia e lajmeve “Reuters” .
Bolsonaro është në gjyq në Gjykatën Supreme nën dyshimet se kishte bërë komplot me aleatët e tij për ta zhbërë me dhunë humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2022 kundër presidentit majtist, Luiz Inacio Lula da Silva. Trumpi e ka quajtur rastin “gjueti shtrigash” dhe e ka cilësuar si arsye për një taksë prej 50 për qind ndaj mallrave braziliane që do të hyjë në fuqi të mërkurën.
Departamenti i Shtetit i ShBA-së e dënoi urdhërarrestin ndaj Bolsonaros, duke thënë se gjykatësi Moraes po i shfrytëzon institucionet shtetërore për t’ia mbyllur gojën opozitës dhe për ta rrezikuar demokracinë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “do t’i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që e ndihmojnë dhe e nxisin sjelljen e sanksionuar”.
Departamenti i Shtetit nuk ofroi hollësi rreth këtij paralajmërimi, edhe pse Trumpi ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund t’u vendosin taksa edhe më të larta mallrave të importuara nga Brazili.