“Bazuar në analizimet e vazhdueshme të pamjeve satelitore të rezolucionit të lartë, të siguruara pas sulmeve të së premtes, agjencia ka identifikuar elemente shtesë që sinjalizojnë ndikim direkt në hapësirat nëntokësore të pasurimit në Natanz”, ka bërë të ditur Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, organ i Kombeve të Bashkuara, përmes një postimi në X – dikur Twitter.
Agjencia ka thënë se nuk ka vërejtur ndryshime në qendrat tjera në Esfahan dhe Fordou.
Sulmet janë pjesë e një fushate ajrore të Izraelit, të nisur kundër armikut të përbetuar për të pestën ditë me radhë, duke shënjestruar ushtrinë iraniane dhe programin bërthamor.
Kjo është hera e parë që Agjencia monitoruese e OKB-së ka vërejtur dëme nga sulmet në disa pjesë të qendrës në Natanz, e cila konsiderohet kryesore për programin bërthamor të Iranit.
Tashmë dihet se një qendër pasurimi mbi tokë është shkatërruar, ashtu sikurse pajisjet elektrike që sigurojnë rrymën në objektin nëntokësor.
Izraeli po vazhdon të sulmojë Iranin edhe të martën, derisa presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar të gjithë banorët e Teheranit që të evakuohen.
“IRANI NUK MUND TË KETË ARMË BËRTHAMORE”, ka shkruar Trump në rrjete sociale gjatë kthimit të tij nga Kanadaja në Uashington.
“Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë më vonë se nuk është në kërkim të një armëpushimi, sepse kërkon “diçka më të mirë sesa armëpushimi”.
