Mijëra boshnjakë janë mbledhur të premten në varrezat pranë Srebrenicës për të përkujtuar 30-vjetorin e masakrës së vitit 1995, ku mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat serbe të Bosnjës më 11-12 korrik 1995.
Ky përkujtim shënon një nga krimet më të rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ku rreth 1,000 viktima mbeten ende të pazbuluara, ndërsa shumë familje kanë zgjedhur të varrosin edhe vetëm disa kocka, për t’i dhënë të afërmve një vend pushimi të denjë.
Dihet se përgjegjësit kryesorë të masakrës, gjenerali Ratko Mlladiq dhe udhëheqësi politik serb Radovan Karaxhiq, janë dënuar për gjenocid nga Tribunali i Kombeve të Bashkuara në Hagë.
Reuters raporton se si pjesë e përkujtimit të këtij viti, rreth 7,000 persona morën pjesë në Marshin e Paqes, një udhëtim tre-ditor prej 100 kilometrash në drejtim të kundërt të rrugës që ndoqën burrat boshnjakë për t’i shpëtuar vdekjes.
Dy gjykata ndërkombëtare kanë vendosur se ngjarjet në Srebrenicë përbëjnë gjenocid, por udhëheqësit serbë në Bosnjë dhe në Serbi ende kundërshtojnë këtë term, numrin e viktimave dhe versionin zyrtar të ngjarjeve. Kujtojmë edhe se, ky mohim vazhdon të ushqejë ndarjet politike dhe pengon integrimin e Bosnjës drejt Bashkimit Evropian.