Milishevci – Bukuritë që Shërojnë
Në një lartësi mbidetare prej 1700 deri mbi 2200 metra, Milishevci ofron një nga peizazhet më të mrekullueshme që natyra mund të dhurojë. I rrethuar nga pisha e molika qindra vjeçare, kjo zonë malore është pasuri e rrallë e Kosovës, me kullosa të gjera, por me pak bagëti, si një dëshmi e ndryshimeve që ka sjellë koha.
Sot, Milishevci është bërë një destinacion gjithnjë e më i preferuar për pushuesit që kërkojnë qetësi, ajër të pastër dhe bukuri të virgjër. Vilat e ndërtuara me kujdes dhe shije e kanë kthyer këtë vend në një oaz të rehatshëm për të gjithë ata që duan të largohen nga zhurma e qytetit.
Banorët e këtushëm, shumica në moshë të thyer, janë mikpritës dhe zemërgjerë. Në mesin e tyre veçohet familja e madhe Osmanaj, të cilët janë pjesë e pandarë e historisë dhe shpirtit të këtyre bjeshkëve. Smail Osmanaj, plaku 85-vjeçar, është një simbol i mikpritjes: gjithmonë me derën hapur, me shëndet të mirë, buzëqeshje në fytyrë dhe fjalë të urta për të rinjtë. Bashkë me vëllanë e tij binjak, Binakun, dhe të afërmit e tjerë, ata janë dëshmi e jetës së gjatë që dhuron kjo natyrë.
Në këto male takon edhe Fazli Osmanin, Salih Osmanin, Hasan Osmanin dhe shumë pushues të tjerë që kthehen vit pas viti për të shijuar ajrin e freskët, ushqimin bio dhe bisedat e ngrohta nën hijen e lisave.
Pushuesit dhe vendasit kanë ndërtuar me mund e dashuri vendpushimet e tyre, duke instaluar panele diellore për energji dhe – që nga ky vit – edhe internetin, për të qenë në hap me kohën pa humbur lidhjen me natyrën.
Ndër vendet më të njohura e me peshë historike është “Qafa e Milishevcit” dhe “Maja e Flamurit”, e cila ngrihet në 2130 metra mbi nivelin e detit. Në këtë majë çdo vit valvitet flamuri kuq e zi, si një rit i shenjtë dhe simbol i dashurisë për atdheun. Këtë vit, këtë flamur e ngritën me krenari Fazli Osmanaj (73 vjeç) dhe Salih Osmanaj (70 vjeç).
Ecja prej 5 orësh deri në majë mund të duket e thjeshtë për ata që nuk e njohin terrenin, por për të arritur atje kërkohen përkushtim, dashuri dhe një lidhje e thellë shpirtërore me vendin. Për dikë në moshë të shtyrë, është gati e paimagjinueshme, por energjia që ofrojnë këto bjeshkë e bën të mundur.
Vetëm dashuria për këto male dhe për flamurin kombëtar jep forcën për të përballuar lodhjen e rrugës.
Por, përkundër gjithë kësaj bukurie dhe përkushtimi, një kërkesë mbetet e përhershme nga bjeshkëtarët: rregullimi i rrugës. Është e domosdoshme që kjo zonë të bëhet më e qasshme dhe më e sigurt për banorët e pushuesit, për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e tyre.
Milishevci ka shumë për të dhuruar – shëndet, jetë të gjatë, paqe dhe natyrë të paprekur. Le të kujdesemi për të, ashtu siç ai kujdeset për ne.
Valdet Sadrija
Milishevci, 30.06.2025