Matoshi: Ju 30 vjeçarët e sotëm çka keni ba për atdhe, ata të UÇK’së kontaktonin CIA’n e flijoheshin për liri

Analisti Halil Matoshi pati një reagim të gjatë dhe mjaft kritik për brezat më të rinj pas dëshmisë së ish-zyrtarit amerikan, James Rubin, në Gjykatën Speciale, i cili tregoi gjerë e gjatë për lidhjet që i krijoi Hashim Thaçi dhe luftëtarët e tjerë të UÇK-së me administratën amerikane.
Matoshi e bëri një krahasim mes kontributit të madh të të rinjve të UÇK-së atëbotë, me këta të sotmit që ose janë në të tridhjetat tash, ose erdhën në pushtet këto vitet e fundit.
“Ata – luftëtarë të UÇKsë- rreth 30-vjeçarë kontaktojnë CIAn, mobilizojnë me moralin e flijimit për liri, ushtarë të moshës së njâjtë, e mat’ri, deri nga ata që ‘u ka qitë buza tamël’; i bindin diplomatë të kalibrit të madh për kauzën e drejtë të nji populli të shtypun dhe vet shkojnë në vijat e para të frontit, me kângë e plumba dhe me ide për shtet sovran, i cili u jetësu më 17 shkurt, 2008”, shkroi Matoshi në Facebook.
“Këta janë plebejët tanë, Cezarët po dhe Gandhi-t e Garibaldët, deGolët tanë’ e Zapata’ tanë, janë demiurgë e arkitektë shteti. Njerëzit tanë Nobel. Që ishin njerëz, pra bâjnë m’i supe edhe gabime njerëzore”, tha më tej Matoshi, duke marrë shkas nga dëshmia e Rubin në Hagë.
Matoshi bëri pyetje retorike për brezat më të rinj se çfarë kanë bërë për atdheun, nëse jo me luftë sikur luftëtarët e UÇK-së, të paktën në fusha të tjera si shkenca, arti e sporti. Po ashtu, Matoshi tha se më e paktja që mund të bëhet është të respektohen figurat e luftës