Debati për shtatzëninë pa partner të Juliana Nurës ka hapur një “kuti Pandore” në shoqërinë tonë, por ndërkohë që ne ende po ndajmë mendjen nëse është e drejtë apo jo, Europa e ka kthyer këtë në një sistem të kopsitur mirë ligjor. Dhe nëse menduat se rregullat janë njësoj kudo, e keni gabim! Çdo shtet ka “recetën” e vet se si e trajton këtë industri, duke filluar nga pagesat e majme e deri te heqja e plotë e privatësisë.
Le ta nisim me fqinjët tanë. Greqia njihet si një nga vendet ku donatorët paguhen më së miri në Europë. Edhe pse ligjërisht konsiderohet kompensim dhe jo rrogë, një donator atje mund të fitojë nga 200 e deri në 1,200 euro, varësisht nga klinika dhe numri i dhurimeve. Ajo që e bën Greqinë kaq të preferuar për gratë nga mbarë bota është ligji i rreptë i anonimitetit. Identiteti i dhuruesit mbetet sekret përgjithmonë dhe ai zhvishet nga çdo lloj përgjegjësie apo të drejte prindërore mbi fëmijën.
Spanja ndjek një model të ngjashëm sa i përket fshehtësisë. Sipas ligjit spanjoll, dhurimi është tërësisht një akt altruist dhe shitja e spermës është e jashtëligjshme. Megjithatë, klinikat ofrojnë rreth 30 deri në 50 euro për çdo vizitë si kompensim për kohën e shpenzuar, që në një cikël të plotë dhurimi arrin shumën e afro 900 eurove. Edhe atje, identiteti i dhuruesit është i mbrojtur me ligj dhe nuk i jepet asnjëherë nënës.
