Pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri, Rogert Sterkaj ka thyer heshtjen në një intervistë ekskluzive televizive, ku ka rrëfyer hapur disa prej kapitujve më të vështirë të jetës së tij. Në një rrëfim “360 gradë”, ai foli për gjithçka: nga emigrimi, tek sfidat personale, varësia nga lojërat e fatit, e deri te përjetimi i tij në Big Brother VIP.
Një nga pjesët më të forta të intervistës ishte momenti kur Rogerti u ndal te varësia nga lojërat e fatit, duke pranuar se gjatë viteve ka humbur shuma marramendëse – deri në miliona euro.
“Çdo lekë që fitoja, se fitoja goxha lekë në fund të fundit… edhe çdo lekë, sa e fitoja, për gjysmë ore e humbja. Shkoja në kazino, në skedina…”, u shpreh ai. I pyetur drejtpërdrejt se sa para ka humbur në total, Rogerti tha: “Tani llogarite… mund të them miliona euro! Miliona euro mund të kem humbur unë gjatë viteve”.
Ai pranoi gjithashtu se një nga gabimet më të mëdha të jetës së tij ka qenë fakti që, në kulmin e këtij vesi, ka prekur edhe kursimet e prindërve. “Pastaj fillova duke ngacmuar edhe kursimet e tyre, që është ndër gabimet më të mëdha që kam bërë në jetën time”, tregoi ai, duke përshkruar me emocione një moment të dhimbshëm familjar.
Sipas tij, babai ishte futur në borxhe dhe kishte përjetuar një situatë të rëndë, deri në atë pikë sa kishte qarë dhe ishte ulur në gjunjë për një borxh prej 10 mijë eurosh.
