Një muaj pas raportimeve për mbindërtim në një kompleks banesor në lagjen Lakrishte të Prishtinës, Komuna ka nisur rrënimin e ndërhyrjeve të dyshuara pa leje në banesën që i përket Juliana Nurës, finalistes së edicionit të parë të “Big Brother VIP Kosova”.
Në fillim të shtatorit, banorët e kompleksit kishin ngritur shqetësime për punime në katin e fundit të ndërtesës, ku dyshohej për shtesa ndërtimore (mbindërtim) dhe mungesë të kushteve të sigurisë gjatë punimeve.
Pas reagimeve të banorëve, Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, kishte konfirmuar për media se në vendngjarje janë hasur punëtorë dhe se është konstatuar një “tentativë për mbindërtim”, duke i dhënë pronarit të objektit 7 ditë afat për rrënim vullnetar.
Tani, një muaj më vonë, procesi i rrënimit ka filluar zyrtarisht. Sipas pamjeve të publikuara nga Prive By Liberta Spahiu , një makineri e rëndë është angazhuar gjatë ditës së sotme për të rrënuar pjesën e mbindërtuar në banesën e Nurës.
