Aktor, producent dhe skenarist, Naser Rafuna, ka bërë të ditur se seriali i njohur “Çka Ka Shpija” do të përmbyllet më 1 janar 2026, pas një rrugëtimi 12-vjeçar me gjithsej 545 episode dhe 13 sezone, duke e bërë atë serialin më jetëgjatë në historinë televizive ballkanike.
Rafuna tha se ky projekt, i nisur në vitin 2014 në RTK dhe i vazhduar më pas në Klan Kosova, është mbi të gjitha “amanet i besimit të audiencës”. Ai falënderoi shikuesit, bashkëpunëtorët, ekipet realizuese të RTK-së dhe Klan Kosovës, si dhe aktorët që u bënë pjesë e serialit ndër vite.
Ai theksoi se gjatë gjithë viteve nuk ka përjetuar censurë në dy televizioni ku u transmetua seriali, duke e cilësuar këtë si dëshmi të një shoqërie mendjehapur.
I plotë:
Të nderuar ndjekës të serialit “Çka Ka Shpija”…
Kanë kaluar dymbedhjetë vite që nga dita kur, në vitin 2014, ky serial nisi rrugetimin e tij në RTK, fillimisht me tetë sezone, e më pas vazhdoi ne Klan Kosova deri në këtë fundvit. Sot, kur shikoj pas, shoh nje rrugë të gjatë prej 545 episodash, 13 sezonesh, dhe një udhëtim që e bëri “Çka Ka Shpija” serialin më jetëgjatë në historinë televizive ballkanike. Kjo, pa asnjë dyshim, është sukses — por mbi të gjitha është amanet i besimit tuaj.
Si autor, producent, skenarist dhe aktor i ketij projekti, me falenderim ndaj Zotit Një dhe ndaj jush, audiencës sonë besnike, si dhe ndaj të gjithë kolegëve e bashkepunetorëve që kanë qene pjesë e këtij rrugëtimi — në aspektin organizativ, administrativ, punues, artistik, madje edhe pengues — ju shpreh mirënjohjen time më të thellë. Pa ju, ky rrugëtim nuk do të kishte kuptim.
Si çdo gjë që ka një fillim dhe nje fund, i udhëhequr nga bindja se masa është kulturë, kam vendosur ta përmbyll këtë serial. Me shumë respekt dhe dashuri për ju, ju njoftoj se episodi i fundit i serialit “Çka Ka Shpija…” do të transmetohet në Klan Kosova më 1 janar 2026.
Jam thellësisht i lumtur qe personazhet, të cilëve vetë ua dhashë emrat, u jetësuan, aktorët u rriten, u afirmuan dhe u identifikuan me ta. U rritëm bashkë — me ulje e ngritje, me probleme që ngjanin me një EKG — dhe kaluam vite të tëra, 545 javë, që sot duken sikur kaluan shpejt. Kujtimet mbesin, mesimet mbesin, dhe njerëzit mbesin. Disa për t’u falënderuar, disa falënderues, disa ndryshe — ashtu siç dimë të jemi ne si popull, me gjithë larminë dhe të verteten tonë.
Kam përjetuar sulme të mëdha, të porositura, nga jashtë dhe nga brenda. Por dashuria është dritë. Dhe, për të qenë pak poetik, ajo dritë sundon mbi gjithçka. Me dashuri kam arritur deri ketu.
Gjatë gjithë ketyre viteve kam kritikuar qeveritë e kohës, por me mirënjohje të sinqertë falënderoj si RTK-në ashtu edhe Klan Kosovën, sepse kurrë nuk kam përjetuar censurë. Kjo flet per nje shoqëri mendjehapur, që di të dëgjojë. Falënderoj posaçërisht Mentor Shalën, ish-drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, për besimin që më dha si producent i jashtëm; po ashtu Ngadhnjim Kastratin, Lorik Arifajn, dhe gjithë ekipin realizues e punues të RTK-së. Falënderimi im shkon edhe për Adriatik Kelmendin, Barlet Imamin, Valonin, gjithë ekipin realizues, punues e administrativ të Klan Kosovës, deri te punëtorët e bufesë, si dhe Devolli Corporation, për përkrahjen dhe besimin në punën tone.
