Një nga figurat më të dashura të ekranit turk, Kenan İmirzalıoğlu , ka zgjedhur më në fund të thyejë heshtjen e gjatë dhe të rikthehet në botën e serialeve. Pas shumë vitesh fokusimi në projekte të tjera dhe moderimit të formateve televizive, ai po rikthehet me një projekt të madh që tashmë ka ndezur debat të zjarrtë.
Seriali i ri mban titullin “Abi” dhe në qendër të vëmendjes është jo vetëm rikthimi i Kenanit, por edhe partnerja e tij në këtë projekt – aktorja e njohur e gjeneratës së re, Afra Saraçoğlu . Ajo që pak vite më parë spikati me interpretimin në seriale të suksesshme, tani do të ndajë skenën me një ikonë të kinemasë turke.
Por ky bashkëpunim nuk ka kaluar pa polemika. Diferenca prej 24 vitesh mes tyre ka qenë kryefjalë e çdo debati në media dhe rrjete sociale. Pjesa më e madhe e publikut është ndarë në dy pjesë: disa e shohin si një kombinim interesant të përvojës dhe freskisë rinore, ndërsa të tjerët e kanë quajtur zgjedhje të gabuar e madje të papërshtatshme.
Për Kenanin, i cili ka lënë pas role që janë bërë tashmë legjendë në seriale si “Ezel” apo “Karadayı”, rikthimi me një projekt të ri mbart pritshmëri të jashtëzakonshme. Kritikat e para tregojnë se publiku e ka vështirë të pranojë një raport aq kontrast mes protagonisteve, por për të tjerë kjo është pikërisht arsyeja pse seriali ka për të ndezur interesin.