Më 17 shkurt 2025, në Teatrin e qytetit të Gjilanit, u mbajt koncert solemn me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një mbrëmje e mbushur me emocion, kujtesë historike dhe krenari kombëtare.
Formacioni artistik “Besiana dhe të mirët e kombit”, e shndërroi skenën altar kulture, ku arti, fjala dhe muzika u bashkuan për të nderuar sakrificën për liri.
Mbrëmja nisi me intonimin e himnit të Kosovës dhe himnit kombëtar nga kori “Akapella” me studentë të Universitetit të Tetovës, nën drejtimin e profesorit Arifikmet Xhemaili, duke sjellë në një vatër të përbashkët të rinj nga Presheva, Kaçaniku, Vitia, Tetova e Gostivari.
Një moment i veçantë ishte interpretimi i himnit tenori i mirënjohur Shkodran Tolaj, solisti i parë që ka interpretuar himnin e Republikës së Kosovës të shoqëruar me tekst! Koncerti u hap me uverturën nga opera e parë kosovare, Goca e Kaçanikut e kompozitorit Rauf Dhomi, e interpretuar me mjeshtëri nga balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, Jeta Musolli dhe Isa Gjocaj.
Kjo vepër solli në kujtesë figurat e lavdishme të rezistencës, si Idriz Seferi dhe veprimtarët e tjerë të çështjes kombëtare. Në rrjedhën e programit u përkujtuan figura emblematike të rezistencës shqiptare si Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe heronjtë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha.
Një vend i veçantë iu kushtua edhe komandantit legjendar Agim Ramadani, si dhe simbolit të qëndresës, Adem Jashari, sakrifica e të cilit mbetet themel i lirisë së Kosovës. Në skenë u ngjitën artistë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria. Pianistja e njohur nga Universiteti i Tiranës, Rudina Ciko, shoqëroi disa prej interpretimeve më të ndjera të mbrëmjes. Baritoni Armando Lika, solist i Operës së Tiranës, interpretoi këngët “Hej ju male” nga filmi Skënderbeu, me muzikë të Çesk Zadeja, si dhe “Për ty atdhe” të kompozitorit Pjetër Gaci.
Fuqia e fjalës artistike erdhi përmes interpretimit të aktorit dhe regjisorit Llesh Nikolla, i cili solli në skenë mesazhin e fuqishëm të poetit Ali Podrimja, duke rikujtuar se “Zgjohu Kosovë” Kori “Akapella” shkëlqeu me veprën “Bien lodrat” nën dirigjimin e prof.Dr Zhani Ciko!
Një tjetër moment kulmor ishte interpretimi i këngëve “Këngë moj” të kompozitorit Musa Piperkun nga Besiana Mehmedi, e cila interpretoi edhe “Unë biri yt Ksovë” dhe “Legjendat këndoja me mall”! Në fund, drejtori artistik Shkodran Tolaj interpretoi “Të uroj Kosovë – gëzuar Pavarësia”.
Në këtë mbrëmje festive mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e përkujtimit dinjitoz të përvjetorëve shtetërorë përmes artit dhe kulturës. I ftuar nderi i koncertit ishte maestro Zhani Ciko, një personalitet i shquar i muzikës shqiptare, i cili dirigjoi në fund këngën “Kosova Kosova”, të interpretuar nga të gjithë artistët së bashku me publikun, në një atmosferë uniteti dhe gëzimi.