Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Liman Berisha, i cili akuzohet se ka kanosur moderatorin Alaudin Hamiti.
Një ditë më parë, i akuzuari kishte pranuar fajësinë për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti, duke shprehur pendesë dhe kërkuar dënim më të butë, ndërsa prokuroria nuk e kishte kundërshtuar pranimin e fajësisë.
Gjykatësi i rastit, Eroll Gashi, konstatoi se i njëjti është fajtor për veprën penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata të akuzuarit i shqiptoi dënim me gjobë prej 2,500 eurosh, të cilën i akuzuari mund ta paguajë me dy këste të barabarta.
Të akuzuarit i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 19.03.2026 deri më 16.04.2026 do të llogaritet në atë mënyrë që ditët e qëndrimit në masën e arrestit shtëpiak do të barazohen me 20 euro të dënimit me gjobë.
Nëse dënimi me gjobë nuk paguhet, ai do të zëvendësohet me dënim me burgim, duke llogaritur një ditë burgim për çdo 20 euro të gjobës.
