Këngëtari Sinan Vllasaliu ka folur për herë të parë rreth aksidentit që pësoi javën e kaluar, një ngjarje që i shkaktoi lëndime serioze dhe e detyroi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Në një intervistë për Prive në Klan Kosova, artisti rrëfeu se gjithçka ndodhi brenda pak çastesh, duke e bërë të pamundur reagimin në kohë.
“Ka ndodhur shumë shpejt. Nuk di si ta shpjegoj saktësisht. Kur e pashë këmbën, e kuptova menjëherë që diçka nuk ishte në rregull. Ishte një kthesë, pak shi dhe terren i rrëshqitshëm. Nuk po lëvizja me ndonjë shpejtësi të madhe, por kur je me motor, çdo shpejtësi mund të jetë e rrezikshme”, u shpreh ai.
Vllasaliu tha se ka qenë me fat që në ato momente pranë tij ndodhej një mik anesteziolog, i cili i ofroi ndihmën e parë dhe ndikoi që situata të mos përkeqësohej.
“Po të mos ishte reaguar menjëherë atë ditë, pasojat mund të kishin qenë shumë më të rënda. Jam mirënjohës për ndihmën që mora në ato momente”, tha këngëtari.
Për shkak të aksidentit, ai nuk arriti të marrë pjesë në një ngjarje shumë të veçantë, dasmën e këngëtares me famë botërore Dua Lipa.
