Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës që është edhe kryetare e Forumit të Gruas të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu në RTK Prime tha se partia e parë nuk po arrin të sigurojë shumicën parlamentare. Ajo tha se qëndrimin, LDK-ja për të mos e votuar kryetarin e parlamentit e ka për shumë shkaqe. Ka thënë se elektorati i LDK-së po kërkon të mos ketë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Qëndrimin, LDK-ja për të mos e votuar kryetarin e parlamentit e ka për shumë shkaqe. E ka ndaj Vetëvendosjes si parti politike, e ka si konsistencë të qëndrimit edhe ndaj asaj çka ka përfaqësuar gjatë fushatës, dhe ne presim që i parti ta sigurojë shumicën. Nuk është LDK-ja duke e thënë këtë, por Kushtetuta i jep të drejtën të parit brenda parlamentit për ta propozuar kryetarin e Kuvendit. Për këtë ne presim që i pari ta shfrytëzojë mundësinë e arritjes së një marrëveshje politike që është e shëndetshme për vendin, që jep edhe një produkt që mund të jetë një marrëveshje politike që kurorëzohet edhe me ekzekutivin”, tha ajo.
Lushaku tha se Vetëvendosje nuk po ka dëshirë që të dorëzojë pushtetin ekzekutiv. “Ne po i shohim që i kanë zaptuar pozitat ekzekutive, ndërkohë që 17 prej tyre e kanë bërë betimin si deputetë e njëkohësisht po e ushtrojnë edhe rolin e ekzekutivit”, shtoi ajo.
E pyetur nëse LDK po e shtynë një koalicion të mundshëm mes LVV-së e PDK-së, Lushaku tha se si parti nuk presupozojnë kush me kë duhet të bëhet. “Ne tregojmë qëndrimet tona si parti. Ne i kemi ata deputetë që i kemi dhe te gjithë jemi unik dhe shumë komod në atë çfarë përfaqësojmë. Ne kemi përfaqësuar një program, një platformë me të cilën kemi garuar në zgjedhje dhe kemi kritikuar Vetëvendosjen për një qeverisje jo vetëm të dobët e të paaftë, por tani po e shohim edhe të dëmshme”.
Lushaku tha se ne nuk dëshirojmë në këtë fazë të bëjmë koalicion edhe për shkak të diskursit që ka përdorur LVV-ja, posaçërisht ndaj LDK-së.
“Secila parti politike duhet të ketë peshën e fjalës publike, dhe të ruaj atmosferë politike duke mos shkaktuar polarizim mes qytetarëve. Me të drejtë edhe elektorati ynë na kërkon të mos e bëjmë këtë koalicion, dhe ne nuk do ta bëjmë këtë”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së tha se përafrimi duhet të jetë ideologjik e programor.
“Vetëvendosje është parti e majtë, skajshmërisht ndonjëherë. Në çdo koalicion që ka pasur edhe përgjatë historisë edhe në vende të tjera që atëherë koalicionet jo parimore e jo programore, dështojnë ose dikush nga partitë e paguan faturën”, tha Lushaku-Sadriu në RTK Prime