Shkruan Bekim Mushkolaj
Në rrugëtimin e lavdishëm të popullit shqiptar drejt lirisë, emri i Luan Haradinajt mbetet simbol i flijimit të parë të vetëdijshëm, gurthemel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pishtar i pashuar i qëndresës sonë kombëtare. Ai nuk ishte vetëm një luftëtar, por një udhërrëfyes i guximit, i vendosmërisë dhe i besimit se Kosova do të çlirohet vetëm me gjak e përkushtim.
Luan Haradinaj, i lindur më 17 nëntor 1973 në Gllogjan të Deçanit, u rrit në një familje atdhetare, ku dashuria për tokën, për kombin dhe për lirinë ishte më shumë se një ndjenjë – ishte mënyrë jetese. Familja Haradinaj, me prindërit e palëkundur dhe vëllezërit e pathyeshëm, ishte dhe mbetet një ndër shtyllat më të forta të rezistencës çlirimtare. Në këtë familje u rritën burra që nuk e kursyen as jetën për Kosovën.
Luanin nuk e shuan dot as plumbi i armikut, sepse ai u bë dritë për të tjerët. Më 6 maj 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar, ai ra në altarin e lirisë, por nuk u dorëzua. Ai mbrojti me gjak shokët dhe idealin, duke u bërë dëshmori i parë i UÇK-së, i cili me gjakun e tij vulosi zyrtarisht rrugën e luftës për çlirim.
Rruga që e nisi Luani u vazhdua me krenari nga vëllezërit e tij – Ramushi,Shkelzeni Daut dhe Enveri , të cilët, përkrah shumë luftëtarëve të lirisë, u rreshtuan me pushkë në dorë për ta përmbyllur misionin e nisur. Ramushi,Shkelzeni, Dauti dhe Enveri nuk ishin thjesht vëllezër të Luanit, por bashkëluftëtarë të tij, të cilët me qëndrueshmëri e sakrificë ndihmuan në organizimin dhe udhëheqjen e UÇK-së në shumë beteja.
Familja e gjerë Haradinaj nga Gllogjani, e njohur për trimëri, burrëri dhe vendosmëri, është dëshmi se kur një familje ia kushton vetveten atdheut, historia ndryshon. Ata nuk u lëkundën as nga vuajtjet, as nga humbjet, por qëndruan të pathyeshëm në çdo kohë, duke dhënë gjithçka për lirinë që sot e gëzojmë.
Sot, Luan Haradinaj është më shumë se një emër – është krenaria e kombit, është dëshmori që nuk u përkul, është simboli që i mëson brezave se liria ka emër, dhe ai është sakrifica.
Lavdi e përjetshme heroit Luan Haradinaj, nder dhe respekt i përjetshëm familjes Haradinaj nga Gllogjani – themel i pashkëputur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i historisë sonë të lavdishme!