Louise Arbour emërohet Guverantore e Përgjithshme në Kanada
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, njoftoi këtë javë se ish-gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Louise Arbour, do të jetë Guvernatorja e ardhshme e Përgjithshme nga korriku.
Arbour, 79-vjeçe, është një nga ekspertët më të mirë ligjorë të kohës së saj dhe do të zëvendësojë Mary Simon që po pensionohet, dhe që ishte guvernatorja e përgjithshme e parë indigjene. Mandati i saj pesëvjeçar përfundon së shpejti, raporton media kanadeze “cbc”
“Louise Arbour do të përfaqësojë më të mirën e Kanadasë për kanadezët dhe botën”, tha Carney në një konferencë për media në Otavë, të martën e kësaj jave.
Por, kush është Louise Arbour?
Arbour, e lindur në Montreal, është avokate e njohur, prokurore dhe ish-juriste e Gjykatës Supreme të Kanadasë, pos roleve tjera.
Ajo ndihmoi në ndjekjen penale të krimeve të luftës si kryeprokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën dhe e Tirubalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në të ’90-tat.
Ajo ka shërbyer edhe si Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe ka ndihmuar në mbajtjen përgjegjës të shteteve për shkelje të të drejtave të njeriut.
Me rastin e emërimit të saj si guvernatorja e 31-të e përgjithshme e Kanadasë, ajo foli për rëndësinë e rolit.
“Do të jem përfaqësuese e Kurorës në aranzhimet kushtetuese që i kanë shërbyer Kanadasë jashtëzakonisht mirë përgjatë historisë sonë, e edhe më shumë në historinë e re”, tha ajo.
Çfarë është guvernatori i përgjithshëm?
Kanadaja është një monarki kushtetuese, që do të thotë se vendi ende ka lidhje me monarkët (p.sh., mbretërit dhe mbretëreshat) e Familjes Mbretërore Britanike.
Aktualisht, Mbreti Charles III është Mbreti i Kanadasë dhe kreu i shtetit të vendit. Ai jeton në Angli.
Guvernatori i Përgjithshëm është përfaqësuesi i Mbretit në Kanada.
Roli daton më shumë se 400 vjet më parë. Ai ka evoluar me kalimin e kohës, por sot përgjegjësitë e tij përqendrohen kryesisht rreth:
Kryerjes së detyrave kushtetuese.Shërbimit si komandant i përgjithshëm i Kanadasë.Përfaqësimit të Kanadasë brenda dhe jashtë vendit.Inkurajimit të përsosmërisë dhe bashkimit të kanadezëve.