Letër e hapur një gjykatësi të Kosovës – Atij që e shpalli të pafajshëm përdhosesin e simboleve tona kombëtare
Shkruan: Murteza OSDAUTAJ
Kaherë, zotni gjykatës, si tinëzisht, më shkonte mendja në situatën kur njerëzit e një vendi mund ta humbin besimin në drejtësinë. E mendoja si një situatë apokaliptike ngase në një vend ku drejtësia nuk e mbron njeriun, lirinë e tij, simbolet, parimet dhe themelet e shtetit dhe kombin, atëherë gjithçka që prodhohet nga një drejtësi e tillë është tragjike dhe e kobshme për njerëzit, kombin dhe lirinë.
Kaherë, zotni gjykatës, më shkonte mendja se çfarë do të ndodhte sikur një gjykatës, një prokuror dhe një avokat nuk e vlerësojnë historinë, themelin e kombësisë dhe gjuhën.
Do të ndodhte një katastrofë juridike në të cilën gjithkush, në secilën situatë, do të mundte t’i nëpërkëmbte të gjitha këto vlera të cilat janë vlera identifikuese të kombit, të shtetit dhe të kulturës. Pra janë të shenjta.
Liria dhe kufizimet e saj janë diçka fondamentale në demokracinë perëndimore. Në këtë kontekst, zotni gjykatës, ti do të duhej të niseshe nga kjo premisë. Liria ime shkelet edhe kur dikush nuk abuzon me mua fizikisht, edhe kur nuk trajtohem keq verbalisht, edhe kur nuk e kam afër apo e rrezikon qenien time fizike.
Liria ime, zoti gjykatës, preket dhe lëndohet edhe kur dikush, e rrezikon identitetin tim, edhe kur dikush i përdhosë simbolet e mia kombëtare dhe shpirtërore, edhe kur dikush, qoftë edhe nëse bëhet nervoz, e shkrryen përtokë flamurin tim kombëtar dhe plisin që për mua janë të shenjta.
Ti, zotni gjykatës, para dy ditësh e lirove, si të pafajshëm, një person i cili nuk kishte probleme mendore, nuk kishte prapambetje dhe probleme psikike, që kishte fakultet të kryer dhe që i mësonte fëmijët tanë në shkollë. E lirove si të pafajshëm me arsyetimin naiv, joprofesional, joetik dhe diletant.
The se personi, mësuesi që kishte përdhosur simbolet kombëtare shqiptare në mënyrën me të paskrupullt, në prani të dhjetëra nxënësve, ishte i pafajshëm se, në momentin që i kishte përdhosur simbolet kombëtare, paska qenë ‘nervoz’.
Athua, zotni gjykatës, një vrasës, nëse paska qenë nervoz kur e ka bërë vrasjen, qenka i pafajshëm??? Më trego se si mund të jetë i pafajshëm dikush që i përdhos simbolet e një vendi, në këtë rast, të vendit tënd.
Ti, zotni gjykatës diletant, mësuesin duhej ta dënoje për aktin e kryer prej tij jo ta shpallës të pafajshëm për shkak se aktin e shëmtuar e ka kryer në gjendje ‘nervoze’.
A është profesionalizëm ajo që kë bërë mund të vlerësohet nga mësuesit tuaj. Unë vetëm po them se akti yt ishte i turpshëm, i rrezikshëm, antikombëtar dhe antishtetëror dhe ka sjellë një presedan të rrezikshëm në drejtësinë tonë dhe në mbrojtjen e simboleve tona kombëtare dhe historike.
Kur të shihja duke e dhënë verdiktin, gëzohesha që nuk jam në lëkurën tënde! S’po të them më shumë, gjykatës i shkretë!