OP/ED

LËRENI KOMBIN, MERRUNI ME PUNËT TUAJA TË PËRSHPIRTSHME

(Letër e hapur klerikëve) Nga Murteza OSDAUTAJ

Të nderuar klerikë, Një interpretim i gabuar i një deklarate të Don Shan Zefit vuri në pah se sa i cikrrueshëm është stabiliteti ynë i ‘vëllazërisë’ fetare.

Kjo intervistë ishte një mjet i mirë në duart e personave që dëshironin ta shprehnin frustrimin e tyre ndaj ngjarjeve ‘fetare’ që po zhvillohen në Kosovë dhe edhe ndaj ndonjërës fe. Në pyetje ishte kombi, kombi ynë, kombi shqiptar. Një klerik katolik po fliste për kombin dhe për pikëpamjet e tij për kombin. Deklaratat e tij ishin keqinterpretuar tepër negativisht nga radioaja gjermane. Kleriku është dashur të kujdesej për tri gjëra që bien në sy gjatë asaj interviste: qëllimin e gazetarit, kualitetin e përkthimit nga një përkthyes jo kompetent dhe efektin që mund të shkaktonte deklarata e tij nëse ndërthureshin mes vete qëllimi djallëzor i gazetarit dhe paaftësia profesionale e përkthyesit.

Gazetari dhe radioja gjermane, nëse e kanë pasur njetin e keq, ia arritën qëllimit. Në Kosovë shpërthyen komentet negative mbi pikëpamjet e interpretuara gabim të Don Shan Zefit. Reaguan gazetarë, analista, hoxhallarë e budallë. U bë lëmsh i madh i deklarimeve të cilat, sikur në kohën e inkuizicionit, kishin për qëllim ‘djegien në turrë të druve’ të priftit dhe, në ndonjë rast, edhe shprehnin urrejtjen ndërfetare që, më duket, është si bombë me sahat e cila pritet të shpërthejë. Një gjë u bë e qartë pas kësaj interviste! U pa se klerikët, hoxhallarët dhe priftërinjtë, do të ishte mirë por edhe e detyrueshme, që të merreshin vetëm me punët e tyre të fesë.

U pa se sa mirë do të ishte që për kombin, për historinë e tij, për kulturën e tij, për traditat shekullore dhe për ndërtimin perëndimor të tij të merren njerëzit kompetentë, ata që e kanë kaluar një jetë duke lexuar, hulumtuar dhe duke e ndërtuar profilin e kombit të tyre. U pa se sa e gabueshme dhe dëmshme është që secilit që ka kryer një medrese apo një gjimnaz katolik, t’i lejohet, si t’i teket, të flas për kombin dhe atdheun. Pra sa e dëmshme dhe sa e rrezikshme është që këtyre njerëzve, shpesh pa kredenciale as kombëtare dhe as morale, t’iu lihet në dorë edukimi i fëmijëve tanë.

Njësoj do të duhej që edhe ne që nuk jemi të fushës, edhe pse mund t’i kemi bërë ‘hatme’ Kuranin e Ungjillin, Tevratin e Zeburin, të mos merremi me çështjet e përshpirtshme të fesë. Po pra, ngase edhe me kushtetutën tonë feja është e ndarë nga shteti dhe ky fakt, në një shoqëri normale, do të mjaftonte për ta kuptuar se secili i ka detyrat dhe obligimet e ndara dhe, në këtë rast, edhe klerikët tanë, hoxhallarë dhe priftërinj, do të duhej që t’iu përkushtoheshin punëve të tyre. Merruni pra me punët tuaja, klerikë! Ju as nuk keni bërë shkollë dhe as nuk keni bërë studime për t’u marrë me çështjet e kombit, të historisë së tij dhe të kulturës së tij. Ju mund të keni njohuri, mund të keni lexuar qindra libra dhe qindra studime. Ju mund të keni krijuar ide dhe mund të keni huazuar ideologji nga lindja dhe perëndimi por, para së gjithash, duhet ta keni një gjë në mendje: Ju nuk keni asnjë të drejtë të ndikoni dhe të përcaktoni kufinj dhe kushte se si duhet të duket apo se si duhet të ndërtohet kombi. Kombi është i shenjt! Është identiteti ynë historik, kulturor, gjuhësor dhe shpirtëror! Kombi nuk ka nevojë për ‘ndërhyrjet tuaja’ në ndërtimin e imazhit të tij.

E dini, njerëzit po kursehen nga fjalët por, jeni bërë të gërditshëm, të rrezikshëm dhe, çdo ditë, jeni duke i bërë dëm të madh këtij kombi dhe këtij populli. Ju, hoxhallarë dhe priftërinj, merruni me punët tuaja të përshpirtshme dhe jo me helmimin shpirtëror të njerëzve dhe, sidomos, të rinisë. Nuk keni asnjë të drejtë dhe kuptojeni se jeni duke e kaluar kufirin e durimit dhe, një ditë, kur të bëhet mjaft, do ta detyroni shtetin të ndërhyjë.

Ruajeni kombin tuaj, kombin që ka tri fe dhe jo vetëm një. Ruajeni kombin tuaj ngase identiteti i tij nuk bazohet në asnjërën fe që ju e përfaqësoni, sado masive të jetë ajo. Kombi jonë nuk është prodhim i feve. Është prodhim i historisë, i luftës për liri dhe i gjuhës. Për të gjithë neve, myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve, kombi është mbi të gjitha, atdheu është mbi të gjitha dhe mbi gjithçka pra edhe mbi secilën doktrinë fetare. Merruni me punët tuaja të përshpirtshme dhe lëreni kombin të zhvillohet dhe të hapërojë. Mos e helmoni, tokën, atdheun dhe njerëzit. Nuk e keni asnjë të drejtë dhe as që do t’iu lejojmë. Mjaft, pra!

Back to top button