Lidhja Demokratike e Kosoves përmes një komunikate për media ka reaguar pas takimit trepalësh në Bruksel mes të zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petkoviç dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi z. Peter Sorensen.
Sipas LDK-së, z. Bislimi nuk gëzon asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë duke shtuar se është vetëm ushtrues detyre demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në procesin e dialogut.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje takimin e sotëm trepalësh në Bruksel në mes të zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petkoviç dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi z. Peter Sorensen. LDK konsideron se z. Bislimi nuk gëzon asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë.
Mandati i ish-qeverisë ku z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti tanimë ka përfunduar me certifikimin e rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në procesin e dialogut”, thuhet në njoftim.
Ndërsa ka shtuar se negociatat me Serbinë janë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe nuk mund të zhvillohen nga një qeveri në detyrë.
“Negociatat me Serbinë janë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe nuk mund të zhvillohen nga një qeveri në detyrë. Çdo marrëveshje apo angazhim eventual i ndërmarrë në këtë fazë nuk do mund të prodhojnë obligime për Kosovën. Tentimi i z. Bislimi për ta futur Kosovën në obligime, pa patur mandat legjitim e demokratik, është i papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor.
LDK kërkon që të respektohet rendi kushtetues dhe vullneti i qytetarëve të shprehur në zgjedhje. Dialogu duhet të vazhdojë vetëm me institucione të reja, të dala nga zgjedhjet, me mandat të qartë dhe përfaqësim të plotë”, thuhet tutje në njoftim