Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur shqetësim se vonesat në konstituimin e institucioneve të reja, si pasojë e rinumërimit të votave, mund të çojnë në bllokada buxhetore dhe vonesa në pagesat e punëtorëve të sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, policët dhe administratën.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari në një interivistë për Ekonomia Online, tha se vendimi për rinumërim mund të ndikojë drejtpërdrejt në shtyrjen e mëtejme të procesit zgjedhor, duke vonuar formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re, çka sipas tij rrezikon funksionimin normal financiar të shtetit dhe pagesat mujore për punëtorët.
“Kjo situatë që është krijuar është tepër e rëndë, nga se ne pritëm gati një vit që të formohen institucionet dhe pastaj shkuam më 28 dhjetor në zgjedhje, tash doli kjo sihariqi tjetër, dhe me siguri do të shtyhet formimi i institucioneve. Ka pyetje të arsyeshme të njerëzve, por madje edhe në arsim se çka nëse nuk bëhen pagat, nga se buxheti, gjegjësisht Ligji për buxhetin e vitit 2026 ende nuk është aprovuar dhe mund të paraqiten bllokada dhe probleme, sepse po shihet institucionet do të vonohen së themeluari, nga se po shkojmë në rinumërimin e votimeve të tërësishme që e kërkon një kohë dhe kjo nuk ka ndodhur ndoshta në këtë masë kaq të madhe në të kaluarën. Si do qoftë, edhe të mos kishte ndodhur ky rinumërim, jemi vonë nga se një vit e më shumë nuk kemi asnjë institucion. SBASHK edhe sindikatat e tjera janë në pritje, kanë pritur që të formohet edhe Këshilli Ekonomik Social. Pastaj kemi pritur që të jemi të pranishëm edhe në Këshillin Shtetëror të licencimit të mësimdhënësve dhe në komisionet e tjera për të dhënë kontributin tonë, mirëpo nuk ka ndodhur kjo me fajin e MASHT-it, po Këshilli Ekonomik Social me fajin e ministrit në detyrë Hekuran Murati, i cili me vite e ka penguar reformimin e këtij Këshilli”, tha ai.
Jashari shtoi se mungesa e dialogut institucional dhe pezullimi i proceseve ligjore po krijojnë pasiguri të madhe për punëtorët e arsimit dhe sektorëve të tjerë publikë.
