Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë eskaluar në gjuhë të ashpër mes dy zyrtarëve të lartë të partisë, Shkëmb Manaj dhe Jeton Mushkolaj, pas debateve të fundit për zhvillimet brenda strukturave të LDK-së.
Shkëmb Manaj, anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së, ka reaguar ndaj kritikave duke theksuar se ka të drejtë të flasë për interesin e partisë dhe se veprimet e tij janë në përputhje me funksionet që mban brenda strukturave të LDK-së.
“Unë kam të drejtë të flas për interesin e LDK-së para shumë kujt! E para unë jam përfaqësues i LDK-së, anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK dhe i Degës së Istogut dhe qëndrimet e mia janë të hapura dhe publike! Janë qëndrime të koordinuara edhe të degës që përfaqësoj”, ka deklaruar Manaj.
Ai ka shtuar se reagimet e tij vijnë kur, sipas tij, proceset dalin jashtë kornizave politike dhe statutore.
“Unë reagoj atëherë kur vlerësoj se proceset dalin jashtë binarëve politik, organizativ dhe statutar. Mendimin secili e ka të lirë dhe si të tillë e respektoj”, ka thënë ai.
Manaj gjithashtu ka mbrojtur figurën e tij politike, duke theksuar kontributin e gjatë brenda LDK-së.
