Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet atje dhe në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës lidhur me rastin e tre shtetasve nga Vushtrria, të raportuar të zhdukur në Shkup.
Siç bëri të ditur ambasada për Klankosova.tv, deri në momentin e fundit të raportimit ende nuk ka informacion të saktë që lokalizon vendndodhjen e Ejup Ternavës, Cennet Ternavës dhe Fatmire Shabanit.
Familjarët kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tyre, pasi tre personat janë parë për herë të fundit të shtunën rreth orës 22:00, kur ishin nisur nga aeroporti i Shkupit në drejtim të Kosovës.
Që nga ajo kohë, sipas familjarëve, ata nuk kanë pasur qasje në telefonë dhe nuk kanë pasur asnjë kontakt me ta.
