Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje se në pesë vjetët e fundit ka keq qeverisur me Kosovën.
Ai në tubimin elektoral në Ferizaj dha edhe një mesazh që, sipas tij, ia kanë dhënë ish-krerët e kësaj partie, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që po gjykohen në Hagë.
Hamza tha se gjendja e keqe në Kosovë do të ndryshojë me ardhjen në pushtet të PDK-së pas 28 dhjetorit.
“Kosova nuk ka dështuar.Kosova është keq qeverisur. Kosova është lodhur, por Kosova nuk është thyer.Kjo qeveri është ardhur në pushtet me shumë premtime, ndërkaq ka realizuar shumë pak. Ka përçarje, drama, kriza, mungesë stabiliteti, rritje të çmimeve dhe produkteve bazike në vlerë 40-50 për qind. Rritje e çmimit të energjisë elektrike mbi 100 për qind. Ndërkaq ngecje e pagave dhe pensioneve në nivel të njëjtë dhe përkeqësim i standardit të jetesës. Por kjo gjendje do të ndryshojë me PDK-në në pushtet më 28 dhjetor. Ne do ta hapim një kapitull të ri të stabilitetit dhe shpresës”, tha ai.
