Në objektin e Kuvendit të Kosovës, sot është mbajtur takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe liderit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.
Ky takim nuk është i pari mes tyre për çështjen e Presidentit, por është hapi i parë i ndërmarrë nga kryeministri Kurti pas afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje shumë të rëndësishme.
Pas takimit, para mediave kanë folur të dy e të dy janë shprehur se janë kundër zgjedhjeve, nuk i duan ato por që mes rreshtave thanë që nuk ka zgjidhje që nuk e qon vendin në zgjedhje.
Lumir Abdixhiku ka thënë sot se në këtë takim që kanë zhvilluar, kanë diskutuar për afatin kohor që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese për të zgjedhur Presidentin, që ka thënë se kërkon një koncensus dhe një marrëveshje eventuale përndryshe vendi shkon në zgjedhje.
Ai ka thënë se zgjedhjet nuk i don askush, e as LDK, shkruan lajmi.net.
“Nuk kemi ndonjë lëvizje të re, ndonjë rrethanë të re nga ky takim i sotëm. Jemi transparent me ju dhe njëri tjetrin, takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim. Unë do të takoj natyrisht edhe liderët tjerë politikë, të PDK-së dhe AAK-së për të kuptuar edhe pozicionet e tyre mbi këtë rrethanë dhe më pas në këtë drejtim do të provojmë që nëpërmjet takimeve të reja transparente besa edhe konfidenciale të gjejmë një zgjidhje për këtë situatë”, ka thënë Abdixhiku para mediave.
Ai ka thënë se çdo marrëveshje që siguron kuorumin e domosdoshëm për Presidentin e ardhshëm të Kosovës është e mirëseardhur, dhe ka thënë se për këtë duhen takime me të gjitha partitë politike.
Për një emër të mundshëm, Abdixhiku ka thënë se nuk kanë diskutuar emër konkret.
“LDK vazhdon të besoj që 3 pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike. Po provojmë të gjejmë zgjidhje, besoj që duhet të dëgjoni edhe palën tjetër. Po provojmë të gjejmë zgjidhje me takime, do të ndjekim këtë rrugë që të shmangim zgjedhjet. Njëherë duhet të mirremi rreth parimeve të procesit, a duhet të kemi një situatë të gjitha pozicionet institucionale që i takojnë një partie, e më pas nëse jo si do të duket kjo marrëveshje”, ka thënë ai.
Ai është pyetur nëse kanë biseduar për pozicionet të cilat mund t’i marrin LDK nëse ka një marrëveshje mes tyre, por ka thënë se nuk kanë një situatë të caktuar për të.
“Po përpiqemi për zgjedhje, nëse nuk ka takime kuptoni që zgjedhjet janë të pashmangshme. Edhe mosveprimi për zgjedhje shkakton zgjedhje në mënyrë automatike. Bëmë përpjekje të gjejmë zgjidhje, diskutuam për natyrën e kësaj zgjidhje. si duket nuk kemi arritur në emra konkret, në rpoces janë dy emra kandidatë të VV-së dhe ne kemi qëndrimin që jo të gjitha pozitat i takojnë një partie”, ka thënë Abdixhiku.
E në lidhje me këtë takim, para mediave ka folur edhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti.
Kurti deklaroi se ende nuk ka ndonjë marrëveshje, por se është pozitiv për ditët në vijim.
Ai tha se me Lumir Abdixhikun ishin në takim afër dy orësh dhe me këtë rast kanë diskutuar për situatën e re politike pas aktgjykimit të Kushtetueses.
“Natyrisht që çështja kryesore që u diskutua dhe jo e vetmja, është pikërisht fakti që na kanë ngelur edhe tri javë për zgjedhjen e presidentit e duhet t’i maksimizojë përpjekjet. Takimi shkoj në një atmosferë dashamirëse dhe jemi të përcaktuar t’i shmangim zgjedhjet e reja sepse zgjedhjet e reja s’do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Është vështirë të paramendojmë një fushatë zgjedhore kur risjellim platformat e programet tona me po të njëjtat zotime e kërkojmë votën e të njëjtëve qytetarë për rezultat që e dimë se s’mund të jetë shumë ndryshe.Ne nuk e kemi më sfidë numrin prej 61 për formimin e Qeverisë, por është sfidë tejet gjigante që një parti t’i ketë 80 deputetë të mund të zgjedhë presidentin”, deklaroi ai.
Kurti ripërsëriti se fillimisht propozuan Glauk Konjufcën e më pas edhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun, por se nuk pati rezultat.
