Shkruan Melos Zogaj, pjesëtar i Policisë së Kosovës
Të dashur qytetarë, Të dashur njerëz të mirë të këtij vendi që më keni pranuar me zemër e më keni mbajtur të fortë me dashurinë tuaj…
E ndjej të domosdoshme të ndaj me ju disa fjalë që s’dua t’i mbaj më në heshtje, sepse falë jush, çdo ditë që vesh këtë uniformë, ndjej më shumë se përgjegjësi, ndjej krenari, ndjej dashuri të pastër, ndjej forcë.
Ju falënderoj nga zemra për çdo buzëqeshje që më dhuroni në rrugë, për çdo përshëndetje të sinqertë, për çdo “faleminderit” që më thoni, edhe kur nuk është e nevojshme. Ato fjalë, ato gjeste të vogla, janë gjërat më të mëdha që më mbajnë në këtë mision.
Ju më keni treguar se njerëzit tanë nuk i shohin policët vetëm si zbatues të ligjit, por si pjesë të jetës së tyre. Si vëllezër, si bij, si motra që dalin çdo ditë për të mbrojtur atë që duam të gjithë: qetësinë, sigurinë dhe dinjitetin e këtij vendi.
Ka ditë të lodhshme, ka net pa gjumë, ka raste që lëndojnë shpirtin… por gjithmonë, kur e ndjej dorën e popullit mbi supin tim, atë mbështetje që vjen pa interes, më rikthehet motivimi. Më rikthehet besimi se kjo punë ka kuptim. Dhe që sakrifica nuk është e kotë.