Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Armend Zemaj, një nga kundërshtarët e marrëveshjes së Abdixhikut për emrin e Bekim Sejdiut për president, ka reaguar në profilin e tij në ‘facebook’, duke thënë se ai mbetet sot e gjithmonë në LDK.

Ai ka thënë se rrënjet e thella nuk luhaten nga erërat e ditës dhe nuk shkulen nga interesat e momentit.

"Sot e përgjithmonë, LDK!

Kam pritur, kam përcjellë, kam pritur përsëri. Por një gjë nuk ka ndryshuar: LDK-istët e Rugovistët mbeten aty ku kanë qenë gjithmonë, në rrënjët e tyre.

Rrënjët e thella nuk luhaten nga erërat e ditës dhe nuk shkulen nga interesat e momentit. Ato nuk janë krijuar nga lobime, financime apo pazare, as nga brenda e as nga jashtë vendit.

Janë rrënjë autoktone, të mbjella në vitin 1989, të ushqyera nga një shekull mbamendje, sakrifice dhe përkushtimi për Kosovën dhe shqiptarinë.

Prandaj, kushdo që mendon se mund ta ndryshojë identitetin tonë me presion, kalkulime apo interesa të çastit, duhet ta dijë një gjë:

LDK-ja nuk është pronë e askujt. Është histori, vlerë dhe besim i gjeneratave.

Ne vazhdojmë përpara, me krenari, me nder dhe me ndërgjegje të pastër.

Pa u lëkundur. Pa u përkulur. Pa asnjë shibel", tha ai.