Në një intervistë për DW, tha se promovimi i integrimit të Ballkanit në BE është e vetmja mënyrë që të arrihet stabilitetit në rajon.
“Duhet të monitorojmë situatën në Ballkanin Perëndimor çdo ditë dhe në baza të vazhdueshme. Politika për këtë rajon nuk duhet të kufizohet vetëm në nxitjen ekonomike, por duhet të mbetet pjesë përbërëse e agjendës sonë të politikës së jashtme. Po i ndjek me kujdes zhvillimet në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë. Ne jemi të interesuar që situata politike të jetë stabile. Për Kosovën, kjo nënkupton konkretisht se duam që ky shtet të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur; nga perspektiva e SPD-së [Partia Socialdemokrate Gjermane], sa më shpejt”, deklaroi Ahmetovic.
Se kur qeveria gjermane do ta adresojë çështjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, ai tha se nuk mund të japë datë konkrete.
“Nuk mund të jap një datë konkrete. Por, si zëdhënës për politikë të jashtme i grupit parlamentar të SPD-së në Bundestag, mund t’ju them qartë se kolegu im Frank Schwabe dhe unë do të angazhohemi që SPD-ja të vazhdojë në këtë drejtim. Kjo vlen edhe për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Më vjen shumë keq që në mandatin e kaluar – pavarësisht qeverisë së koalicionit mes socialdemokratëve, konservatorëve dhe të gjelbërve – kjo nuk u arrit. Ka pasur një momentum strategjik që duhej shfrytëzuar. Ndoshta do të kishte qenë e mundur me më shumë presion politik”, u shpreh ai.
I pyetur se ndaj kujt duhet ushtruar presion, zëdhënësi i SPD-së tha se “Qeveria gjermane do të duhej të kishte bërë më shumë përpjekje për të bindur shtetet anëtare të Këshillit të Evropës”.
“Ka pasur vende që e kanë refuzuar pranimin e Kosovës [në Këshillin e Evropës]. Gjermania ka një peshë të madhe në këtë organizëm dhe duhet ta ushtrojë atë me një vetëbesim modest. Herën e fundit kjo nuk funksionoi. Por ne, grupi parlamentar i SPD-së, mbetemi të vendosur. Ministri i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, dhe grupi parlamentar i CDU/CSU janë shprehur qartë në favor të anëtarësimit të Kosovës; ne do t’ua kujtojmë dhe do t’u kërkojmë llogari”.