Takimi i planifikuar të mbahej këtë javë në Athinë, ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), ku pritej të diskutohej për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, është anuluar. Arsyeja e anulimit lidhet me mungesën e përgjigjeve ndaj kërkesave të ICMG-së dhe moskonfirmimin me kohë të delegacionit pjesëmarrës.
Kjo është bërë e ditur përmes një shkrese zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Aliti, drejtuar anëtarëve të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (OCMG), të cilën e ka publikuar KosovaPress, transmeton Periskopi.
Në këtë shkresë, Aliti bën të ditur se KOK-u ka pranuar një telefonatë zyrtare nga Sekretari i Përgjithshëm i ICMG-së, z. Filippous, përmes së cilës është njoftuar se takimi i paraparë në kryeqytetin grek nuk do të mbahet.
Sipas sqarimeve të përcjella nga ICMG-ja, anulimi ka ardhur si pasojë e mungesës së përgjigjeve dhe përmbushjes së obligimeve të përcaktuara në shkresat e fundit që ky institucion u kishte adresuar përfaqësuesve kosovarë.
Por, një nga arsyet kryesore rezulton të jetë edhe moskonfirmimi brenda afatit i delegacionit që duhej të udhëtonte në Athinë.
Në shkresë theksohet se afati për caktimin dhe konfirmimin e delegatëve pjesëmarrës kishte qenë deri të shtunën. Mosrespektimi i këtij afati, sipas ICMG-së, ka pamundësuar organizimin e takimit për shkak të kohës së pamjaftueshme për përgatitjet organizative dhe logjistike.
“Rrjedhimisht, duke marrë parasysh kohën tejet të shkurtër të mbetur, organizimi i takimit është bërë i parealizueshëm edhe për përfaqësuesit e ICMG-së”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga Besim Aliti.
Pikëpyetje për koordinimin institucional rreth “Prishtina 2030”
Anulimi i këtij takimi ngre pikëpyetje serioze për nivelin e koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
Fakti që ICMG-ja, sipas shkresës së KOK-ut, nuk ka marrë përgjigjet e kërkuara dhe as konfirmimin e delegacionit brenda afatit, vë në diskutim mënyrën se si janë trajtuar obligimet institucionale për një projekt të kësaj rëndësie.
Megjithatë, nga përmbajtja e shkresës nuk sqarohet se cilat institucione apo persona konkretë kanë qenë përgjegjës për moskthimin e përgjigjeve dhe moskonfirmimin e delegacionit.


