Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës, dje, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka realizuar një aksion gërmimi dhe eksumimi në varrezat e Dëshmorëve në fshatin Krushë e Vogël, në Prizren.
Veprimi është kryer në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore – Departamenti Special në Prishtinë.
Gjatë gërmimeve në lokacionin e identifikuar, hetuesit kanë hasur mbetje eshtërore njerëzore me interes forenzik, për të cilat dyshohet se i përkasin të paktën një personi që figuron në Listën Kombëtare të Personave të Zhdukur gjatë periudhës së luftës 1998–1999.
