56-vjeçari Ardian Muka, i cili ishte emigrant në Greqi, provoi të bëhej gjobëvënë, mirëpo u ‘tradhtua’ në letrën kërcënuese përmes të cilës kërkoi 300 mijë euro, nga dialekti se si kishte renditur kushtet ndaj kushëririt të tij, që ndërkohë ka biznes në Itali.
Mbasi kanë studiuar letrën e gjobëvënies, agjentët e Komisariatit numër 7 në Tiranë u bindën se bëhej fjalë për një banor të zonës së Gërdecit, mes të tjerash sepse ai njihte shumë mirë detaje nga jeta në këtë fshat.
“300 mijë eurot lidhini në një qese dhe vendosi tek depozita e gazit mbas shtëpisë, pastaj do ju shkruaj unë se ku do t’i vendosni sërish”, urdhëronte i dyshuari Muka, në letrën e mbyllur në zarf ku kishte lënë si shenjë paralajmëruese edhe një plumb.
Tashmë i arrestuar për akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes dhe mbajtjes së municioneve, Muka pranoi se ishte ai kanosësi, i cili, kishte lënë të njëjtën letër gjobëvënëse në derën e kushërinjve të tij edhe verën e vitit të kaluar.
