Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shpenzimet e partive për tre muajt e fundit, korrik-shtator.
Sipas dokumentit të publikuar, VV për tre muaj ka shpenzuar 663 mijë e 459 euro, duke tejkaluar kështu buxhetin për 234 mijë e 292 euro. Në tremujorin paraprak, kjo parti kishte shpenzuar rreth 157 mijë euro më pak se buxheti që kishte, apo në total 498 mijë e 800 euro , shkruan Reporteri.net.
Aty figuron se 110 mijë euro janë shpenzime marketing, ku rreth 25 mijë euro janë për reklama dhe konkurse dhe mbi 85 mijë tjera për “shpenzimet për informim publik”.
Rreth 85 mijë euro janë shpenzime të qirasë, ku përfshihen qiratë për ndërtesa dhe makina.
Për dreka zyrtare, VV ka shpenzuar 5 mijë e 530 euro, teksa mbi 16 mijë euro figurojnë shpenzime të udhëtimit.
94 mijë e 185 euro figurojnë si shpenzime për ushqim dhe pije, 33 mijë e 320 euro shpenzime për akomodim dhe 13 mijë e 262 euro janë shpenzime për furnizime për zyre.
