Serbia nuk e sheh dorën e shtrirë të Shqipërisë për bashkëpunim ushtarak. Presidenti Aleksandër Vuçiç nuk mori në konsideratë thirrjen e ministrit tonë të mbrojtjes, Pirro Vengu, se aleanca mes Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit nuk ishte kundër askujt, duke u përpjekur sërish që ta portretizojë atë si një kërcënim. Ai vizitoi një kazermë në Beograd ku mori mori pjesë në një takim informues mbi analizën e gjendjes dhe aftësive të Forcave të Armatosura Serbe.
“Jemi shumë të shqetësuar për formimin e aleancave ushtarake në mjedisin tonë kundër Serbisë dhe në përputhje me rrethanat po veprojmë me përgjegjësi, seriozisht, duke mos provokuar askënd, por duke dashur të pengojmë këdo që do të kryente agresion kundër vendit tonë. Kapacitetet tona mbrojtëse, si në forcat ajrore ashtu edhe në mbrojtjen ajrore, janë rritur në mënyrë drastike dhe dramatike. Dhe në vitet që vijnë, veçanërisht, do të ketë nga të gjitha sistemet për ushtrinë tonë”, tha Vuçiç.
