Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet J.J, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 21 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Bokshiq, Komuna e Klinës, i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje për çështje pronësore ndërmjet viktimës dhe babait të tyre, dyshohet se ka marrë një armë zjarri nga shtëpia dhe ka shtënë katër herë në drejtim të viktimës, vëllait të tij.
“Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka pësuar gjakderdhje të madhe të brendshme dhe të jashtme, për shkak të dëmtimit të arteries në këmbën e majtë, dhe më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pejës. Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri e ka mbajtur dhe poseduar pa autorizim një pistoletë të kalibrit 9×19 mm, së bashku me një karikator dhe dhjetë (10) fishekë të të njëjtit kalibër, për të cilën nuk posedonte leje nga organet kompetente”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.