Nesër do të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.
Seanca është caktuar të nisë në ora 09:00 në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, më 9 janar të këtij viti kishte ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të pandehurve për rastin e vrasjes së zyrtarit policor Muhamet Lika në Kaçanik.
Të pandehurit me inicialet H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G. akuzohen se, në bashkëkryerje, më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, kanë privuar nga jeta rreshterin Muhamet Lika me armë zjarri, duke vepruar me përgatitje paraprake dhe duke përfshirë edhe një të mitur.
Prokuroria ka propozuar që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.
Po ashtu, Prokuroria ka kërkuar që masa e paraburgimit ndaj të akuzuarve të vazhdojë deri në përfundimin e procesit gjyqësor.