Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar të akuzuarin Sead Halilaj me 15 vjet burgim për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, të kryer në mënyrë mizore dhe dinake. Aktgjykimi është marrë nga gjykatësi i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prizren, Artan Sejranni- kryetar i trupit gjykues, dhe anëtarët- gjykatësit Teuta Krusha dhe Sadije Selmani, më 24 shkurt 2026.
Sipas aktgjykimit, Halilaj me dashje ka privuar nga jeta në mënyrë mizore dhe tinëzare viktimën I.K., më 4 qershor 2013.
Në vendim thuhet se vrasja është kryer bashkë me vëllanë e viktimës, Senad Kullaj, për motive të ulëta, pasi e njëjta punonte si këngëtare dhe valltare në një lokal nate në Mitrovicë.
“..në atë mënyrë që së bashku me Senad Kullaj nga Shkodra – Republika e Shqipërisë vjen për të vizituar I.in e cila ishte duke punuar si këngëtare – valltare në Mitrovicë në lokalin ,,Sh…” pronë e M.S.,, me ç ‘rast takohen në Prizren, ku qëndrojnë në shtëpinë e F.R., ku ajo ka banuar më herët, dhe diku në orët e mëngjesit pasi nuk është pajtuar I.K., të kthehet në shtëpi pasi familja nuk është pajtuar lidhur me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës papritmas i akuzuari Sead Halilaj me thikë së bashku me Senad Kullaj fillojnë të godasin I.K në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në aktgjykim.
Si rrjedhojë, aty thuhet se viktimës i kanë shkaktuar plagë prerëse në fyt duke ia dëmtuar rrugët e frymëmarrjes dhe këputur enët e gjakut.
“..duke shkaktuar plagë prerëse shpuese në anën e pasme të djathtë dhe të majtë të kokës, në pjesën e laprës së veshit të majtë, në anën e djathtë të regjionit të mjekrës, gërvishtje në anën e sipërme të majtë të përparme të kraharorit, në anën e majtë e sipërme të shpinës, në anën e pasme të krahut të majtë, në anën e pasme të dorës së majtë në bërryl, ndrydhje dhe gërvishtje në anën e pasme të parakrahut të dorës së majtë si dhe në anën e brendshme të dy shuplakave të duarve, si dhe plagë prerëse shpuese në anën e djathtë të qafës në pjesën e përparme të qafës e cila prerje kishte dëmtuar rrugët e ushqimit, të frymarrjes dhe kishte këputur enët e gjakut dhe nervat në këtë regjion që shkonte deri në indet e forta te unazat e qafës, me ç ‘rast ka ardhur deri te vdekja e dhunshme si pasoj e gjakderdhjes masive nga plagët e shumta prerëse e shpuese në qafë dhe pjesët të ndryshme të trupit të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë dhe të prehtë”, thuhet më tej.
