Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë këtë javë Kosovën, në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor.
Vizita e saj në rajon do të nisë të mërkurën në Shqipëri, ku pritet të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Të enjten, von der Leyen do të qëndrojë në Kosovë. Sipas agjendës së Komisionit Evropian, ajo do të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Temat konkrete që do të diskutohen gjatë takimeve në Prishtinë ende nuk janë bërë të ditura. Vizita pritet të përfshijë çështje që lidhen me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet në rajon.
Pas Kosovës, presidentja e Komisionit Evropian do të udhëtojë drejt Malit të Zi, ndërsa turneun në Ballkan do ta përmbyllë në Maqedoninë e Veriut.
Këtë herë, von der Leyen nuk do të vizitojë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, ndërsa vizitat në këto dy vende janë shtyrë për shkak të zgjedhjeve të ardhshme.