Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Gjilan, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse, të dhimbshme dhe të papranueshme.
Përmes një postimi, Çitaku ka ngritur shqetësimin për dhunën ndaj grave dhe për rrugën që, sipas saj, shoqëria ende duhet të bëjë drejt barazisë së vërtetë gjinore.
Ajo ka theksuar se fuqizimi i grave nuk duhet të matet vetëm me numrin e grave në pozita të larta institucionale, por edhe me mundësinë që ato të jetojnë të lira dhe të sigurta në çdo qytet, fshat dhe familje.
Postimi i plotë:
Tronditëse. E dhimbshme. E papranueshme.
Një grua dhe vëllai i saj u vranë nga bashkëshorti i saj. Dy jetë të këputura. Dy familje të goditura nga një dhimbje e papërshkrueshme.
Kemi zgjedhur tri gra Presidente. Krenohemi me arritjet tona dhe i themi vetes se kemi bërë shumë për fuqizimin e grave. Por vjen një goditje si kjo dhe e kupton sa larg jemi ende nga barazia e vërtetë, sa shumë punë kemi përpara dhe sa thellë janë rrënjosur ende mendësitë që e cenojnë jetën, lirinë dhe dinjitetin e gruas.




