Në një intervistë për Vijesti.ba, politikani dhe juristi i njohur nga Kosova, Azem Vllasi, nga Shtetet e Bashkuara ku po qëndron aktualisht, thekson se Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje, veçanërisht ndaj Kosovës, duke përdorur si mjete diplomacinë, propagandën dhe ndikimin rus.
“Serbia ende ëndërron ta kthejë Kosovën si pjesë të saj ‘në mënyrë paqësore’. Por janë vetëm ëndrra boshe. Kosova është shtet i pavarur dhe i mbrojtur nga NATO,” tha Vlasi.
Vllasi e quan konceptin e “srpski svet” një version të përditësuar të projektit të “Serbisë së Madhe”, që ka dështuar ushtarakisht në vitet ’90, por që tani po tentohet të realizohet përmes rrugëve politike dhe propagandistike.
“Serbia ka ndërruar vetëm metodat, jo qëllimin. Tani, nën udhëheqjen e Vuçiqit, përpiqet ta realizojë këtë përmes mjeteve të buta, ashtu siç e sugjeronte Dobrica Cosiq pas humbjeve të luftës.”
Ai shton se ky projekt nuk është vetëm kërcënim për Kosovën, por për të gjithë rajonin, përfshirë Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat sipas tij janë objektiva të “Botws serbe”.
Duke komentuar paradën ushtarake të Serbisë në Beograd, Vllasi thotë se ishte një shfaqje force për të frikësuar fqinjët dhe për të kontrolluar qytetarët e vet të pakënaqur.
“Vuçiqi e di që askush nuk e kërcënon Serbinë – është e rrethuar nga vendet e NATO-s. Por parada kishte për qëllim të tregojë se ai kontrollon ushtrinë dhe policinë, pra ka në dorë shtetin dhe pushtetin.”
