Ismail Tasholli ka publikuar një status në Facebook, në të cilin ka bërë një paralele mes dënimit të Jakup Krasniqit nga sistemi jugosllav dhe procesit gjyqësor ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Tasholli, përmes një analize që e ka titulluar “Dy burgje, ni njeri”, e ka interpretuar biografinë e Krasniqit si përballje me dy sisteme të ndryshme ideologjike, të cilat, sipas tij, kanë përdorur mekanizma të ngjashëm ndëshkimi ndaj të njëjtit individ.
Ai ka kujtuar se Krasniqi ishte dënuar nga sistemi jugosllav për propagandë dhe veprimtari kundër rendit të atëhershëm, ndërsa tani po përballet me drejtësinë ndërkombëtare nën akuza që Tasholli i cilëson si të lidhura me propagandën dhe mobilizimin e qytetarëve në luftën për liri.
“Dy rende historike, që pretendojnë me përfaqësu norma krejt të ndryshme, përfundojnë tue përdorë mekanizma të ngjashëm ndëshkimi ndaj të njëjtit individ”, ka shkruar Tasholli.
Tasholli i është referuar veprës “Disiplinë dhe Ndëshkim” të filozofit francez Michel Foucault, duke ngritur pyetjen se si sisteme që legjitimojnë veten përmes parimeve të ndryshme mund të përdorin të njëjtat mekanizma të ushtrimit të pushtetit mbi individin.




