Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës se invalidët e luftës nuk duhet të presin për të marrë trajtimin e nevojshëm për proteza.
Ai duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes, Teuta Haxhiu tha se ai nuk ka pranuar asnjë ankesë sa i përket këtij procesi.
“Nuk duhet të pres fare asnjë invalid i luftës, qoftë ai ushtar apo civil. Unë nga kontakti që i kemi vazhdimisht me shoqatat nga ata që kanë aplikuar më herët nuk e kam asnjë ankesë dhe dje pasi që u bë temë e kam thirrë në takim edhe drejtorin e fondit dhe nuk ka asnjë rast që ka pritur, e larg qoftë 3 vite. Prapë po e përsërisë mund të ndodhë që nuk janë të informuar të gjithë, megjithëse në konsultimet me shoqatat jemi pajtuar që në këtë pjesë të na ndihmojnë edhe shoqatat e dalura nga lufta për komunikimin me çdo invalid të luftës kur ka nevojë për proteza’’, tha ai.
Ai tha se në çdo rast ku evidentohet se invalidët janë lënë në pritje do të mirren masa të menjëhershme, kurse tha se në kompensim të çmimit të protezave, Kosova nuk ka limit.




