Deputeti i VV-së, kryetar i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorolli ka shkruar pasi është bërë publike letra që Arlinda Zekaj, e vrarë nga kunati i saj i kishte dërguar Prokurorisë Themelore në Pejë.
Ai ka thënë se letra e saj, ishte shkruar me shpresën se dikush do ta dëgjonte, do ta kuptonte rrezikun për jetën e saj dhe do të ndërhynte për ta mbrojtur.
“Një grua tjeter, prokurorja pejane, Suada Hamza, nuk e dëgjoi Arlindën. E mëshiroi* vdekjen e saj përmes heshtjes. Tani ajo duhet të jap llogari, para ligjit dhe para Zotit, pse e “lejoi ligjërisht” vrasjen e saj! Tani, ndërsa po e lexoj amanetin e Arlindës, po qaj. Po qaj për Arlindën, për frikën që mund ta ketë ndier, për ditët kur ka pritur ndihmë, për shpresën që e ka mbajtur gjallë, ndërsa kërkonte mbrojtje. Po qaj për faktin se një njeri mund ta shtrijë dorën drejt Prokurorisë dhe prapëseprapë të mos arrijë ta shpëtojë jetën e vet”, ka shkruar Qorolli.




